Letra e Shën Judës

   Ka qenë vënë në dyshim nëse “Juda, shërbëtori i Jisu Krishtit dhe vëllai i Jakovit” që shkroi letrën e Shën Judës është “Juda, vëllai i Jakovit” (Lluka 6:16; Veprat 1:13), njëri prej dymbëdhjetë apostujve, “jo Iskarioti” (Joani 14:22). Në Traditën e Kishës, të dy janë identifikuar, zakonisht si i njëjti person. Letra e Shën Judës është një letër e përgjithshme për të cilën autori e “ndjen të nevojshme t’iu shkruaj atyre që janë thirrur,” duke iu kërkuar atyre “të luftojnë për besimin, që u qe përcjellë shenjtorëve njëherë e përgjithmonë” (1-3).

Sepse depërtuan ndërmjet jush disa njerëz, që qenë shënuar qëmoti për këtë dënim, të pabesë që e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zot Perëndi, dhe Zotin tonë Jisu Krisht (4).

    Këta “tallës”, disa prej të cilëve besimtarët mund të jenë në gjendje t’i shpëtojnë “duke ia rrëmbyer zjarrit” (23), janë ata që “ndyjnë mishin, përbuzin pushtetin dhe blasfemojnë kundër dinjiteteve” (8). Ata janë ata që “ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë… (dhe) që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën” (18-19) që kanë hyrë në Kishë. Juda u bën thirrje atyre që janë besnikë t’u qëndrojnë të paudhëve.

Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë, ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jisu Krisht, për jetën e përjetshme… (21).

    Me interes të veçantë në letër, të cilët disa e lexojnë në Kishë, është përmendja e Kryeengjëllit Mikael (9), si edhe e engjëjve të këqinj “që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë (me Perëndinë) dhe Ai i ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe” (6). Në përgjithësi ka një ton të përcaktuar apokaliptik në letrën e Shën Judës.