Veprat e Apostujve

    Libri i Veprave të Apostujve u shkrua nga Shën Lluka në fund të shekullit të parë, si pjesë e dytë e historisë për Teofilin, rreth Krishtit dhe Kishës së Tij. Libri fillon me një tregim të ngjitjes së Zotit dhe zgjedhjes së Matias për të marrë vendin e Judas, si një anëtar i dymbëdhjetë apostujve. Pastaj vazhdon me ngjarjet e ditës së Pentekostisë, kur Shpirti i Shenjtë i premtuar erdhi mbi nxënësit e Krishtit, duke i fuqizuar ata për të predikuar ungjillin e jetës së re në Shpëtimtarin e ngjallur, te populli i Jerusalemit. Kapitujt e parë të librit tregojnë historinë e ditëve të para të Kishës në Jerusalem dhe na japin një pikturë të gjallë të komunitetit të parë të krishterë, i ngritur nëpërmjet veprës së apostujve. Tregohet për njerëzit e pagëzuar dhe pajisur me dhuratën e Shpirtit të Shenjtë nëpërmjet pendimit dhe besimit në Krishtin, duke vazhduar me ngulm në përkushtimin e tyre ndaj “mësimit të apostujve dhe, në bashkësi, në thyrjen e bukës dhe në lutjet” (Veprat 2:42).

    Duke vazhduar përshkrimin e martirizimit të dhiakonit Stefan, i pari që dha jetën e tij për Krishtin, Veprat tregojnë kthimin e persekutuesit Saul në apostullin e zellshëm Pavël. Ato tregojnë, gjithashtu ngjarjet me anë të të cilave paganët e parë u sollën në Kishë, nëpërmjet veprimit të drejpërdrejt të Perëndisë. Pastaj vazhdohet me një tregim të aktiviteteve të para misionare të Shën Pavlit dhe Shën Barnabës dhe me të famshmin kapitull të pesëmbëdhjetë, në të cilin përshkruhet Sinodi i Parë i Kishës në Jerusalem, sinodi që caktoi kushtet në të cilat paganët mund të hynë në Kishë, përkundrejt ligjit të Moisiut të cilin të gjithë judenjtë e krishterë po e zbatonin në atë kohë.

    Gjysma e dytë e librit përshkruan aktivitetet misionare të apostullit Pavël nëpër Siri dhe Qiliqi, në Maqedoni dhe Greqi dhe përsëri nëpër Efes në Jerusalem. Pastaj tregon arrestimin e Shën Pavlit në Jerusalem dhe mbrojtjen e tij para autoriteteve atje. Libri mbaron me përshkrimin e udhëtimit të Shën Pavlit në Romë për t’u gjykuar, duke u mbyllur me njoftimin se ai “ndenji atje plot dy vjet . . . duke predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat e Jisu Krishtit me guxim dhe pa ndalim” tek ata që vinin tek ai në shtëpinë ku mbahej i burgosur (Veprat 28:30).  Libri i Veprave të Apostujve formon leximin e Apostullit të liturgjisë së Kishës gjatë kohës prej Pashkës në Pentekosti. Pjesë prej tij lexohen edhe në festa të tjera të Kishës, p.sh. Festën e Shën Stefanit. Gjithashtu, është zakon i Kishës të lexohet libri i Veprave mbi varrin e Krishtit gjatë të Premtes së Madhe dhe mbi varrin e një prifti të fjetur në vigjiljen para varrimit të tij.